Tre prej lojtarëve të rëndësishëm të Kosovës kanë realizuar transferime në afatin kalimtar të janarit. Amir Rrahmani, Valon Berisha e Florent Hadërgjonaj vlerësojnë se kanë realizuar lëvizje që u shërbejnë karrierave të tyre, por kjo nuk është e përbashkëta e vetme.
Asnjëri prej tyre nuk ka bërë transferim që e stabilizon menjëherë në skuadrën e re. Derisa kapiteni Amir Rrahmani ka bërë hap të madh para duke u transferuar nga Verona te Napoli, Valon Berisha e Florent Hadërgjonaj kanë lëvizur në drejtim të kundërt – nga klube më të mëdha në klube më të vogla. Berisha ka kaluar nga Lazio te skuadra e fundit e Bundesligës gjermane, Fortuna Duesseldorf.
Hadërgjonaj ka lënë Huddesfield Townin në Angli për të kaluar te Kasimpasha në Turqi. Për të tre qëndrimi aktual është vetëm deri në fund të stinorit. Pra të tre në pranverë do të luajnë si lojtarë të huazuar.
Mbrojtësi i qendrës, Rrahmani, më 20 janar u transferua nga Verona te Napoli. Por Napoli menjëherë e huazoi te Verona deri në fund të këtij edicioni. Është raportuar që Napoli ka paguar rreth 14 milionë euro për të siguruar Rrahmanin për kohë të gjatë.