FC Prishtina e ka konfirmuar se nga lojtarët dhe stafi i klubit kanë dalë shtatë rezultate pozitive me koronavirus, vetëm pak para fillimit të kualifikimeve për Ligën e Evropës.
Njoftimi i Prishtinës:
FC Prishtina dje mbrëmë ka pranuar rezultatin e testeve nga IKSHPK dhe nga 34 të testuar, pozitiv kanë dalë shtatë sosh, tre futbollistë, njëri prej tyre 17 vjeç dhe katër anëtarë të stafit të ekipit. FC Prishtina e priste një rezultat të tillë dhe ky testim i duhej që skuadra të ishte sa më e sigurt para ndeshjeve të Evropës. Të gjithë të infektuarit nuk kanë simptome të theksuara dhe nuk kanë udhëtuar me skuadrën në Istog ku sot në mëngjes mbajti seancën e parë stërvitore.
Të infektuarit pritet të ritestohen sërish pas pak ditësh, sepse konsiderohet që të gjithë janë në fund të procesit të infektimit dhe afër shërimit të plotë.
Skuadra do t’i vazhdojë përgatitjet në fushën e Istogut deri më 17-18 gusht, deri sa kundërshtarin në ndeshjen paraeliminatore e mëson më 9 gusht, kurse ndeshjen e zhvillon me 20 gusht varësisht shortit.