Pas takimit me sekretarët e Federatave Futbollistike të Evropës, UEFA shpjegoi se në këtë takim është biseduar për fillimin e Ligës së Kombeve në muajin shtator dhe sfidat që duhet të kalojnë kombëtaret me kufizimet gjatë udhëtimeve dhe masat e karantinës në hyrje të disa shteteve.
Në rastin e Maqedonisë, ka ndalesë për hyrje në Bashkimin Evropian, por kjo vlen edhe për shumë vendet të tjera të Ballkanit, andaj UEFA nuk ka përjashtuar zhvillimin e ndeshjeve në terren neutral.
“Është biseduar për sfidat e muajit shtator të kombëtareve, ku janë shpalosur vështirësitë me të cilat përballen përfaqësueset me kufizimet e udhëtimit. Andaj kërkohet bashkëpunim mes klubet dhe Federatave të Futbollit që UEFA të mundësojë zhvillimin e garave. Në këtë fazë nuk përjashtohen edhe zhvillimin e ndeshjeve në terrenin neutral,” thuhet mes tjerash në kumtesën e UEFA-s.
Maqedonia nis gara në Ligën e Kombeve më 5 shtator kundër Armenisë në Shkup, ndërsa 3 ditë më vonë duhet të jetë në udhëtim, ndaj Gjeorgjisë. Mirëpo problem kryesor është se si pjesa më e madhe e reprezentuesve do të udhëtojnë dhe si do të kthehen në ato shtete evropiane, a do të ketë vetë izolim për ata dhe a do të nënshtrohen testeve plotësuese.
Ndërkohë Maqedoninë e pret edhe sfida më 8 tetor, ndaj Kosovës, mirëpo deri më tani nuk ka asnjë paralajmërim se a do të ndryshojë vendtakimi në Shkup.