Muriqi: Dua të bëhem legjendë e Fenerbahces

Vedat Muriqi i ka hedhur poshtë thashethemet rreth të ardhmes së vet, duke thënë se shpreson se karrierën do ta përfundojë në Fenerbahce duke u bërë legjendë e gjigantit turk.

Për sulmuesin e Kombëtares së Kosovës është përfolur shumë në dy afatet e fundit kalimtare, si njëri prej sulmuesve më të kërkuar nga klube të ndryshme evropiane, por prizrenasi ka ofruar qartësi për të ardhmen e vet, duke e bërë të qartë se është më së i lumtur në Turqi, raporton GE.

I pyetur nga televizioni turk NTV për të ardhmen, Muriqi tha se dëshiron të futet në histori të Fenerbahces duke fituar tituj vendorë dhe evropianë.

“Unë i shërbej komunitetit që kam ëndërruar. Dua ta fitoj tituj kampioni këtu dhe të korr sukses të madh në Evropë”, tha Muriqi për NTV.

Është përfolur se shumë klube angleze, përfshirë Tottenhamin e Jose Mourinhos, e duan kosovarin, i cili i ka shënuar 17 gola dhe i ka dhënë 7 asiste në 36 ndeshje për Fenerin këtë sezon.

Por ai këmbëngul se synimi i tij është të pensionohet në fanellën verdhekaltër.

“Unë gjithmonë them se karrierën dua ta përfundoj këtu”, shtoi 26-vjeçari.

Mediat turke shpesh kanë raportuar se Fenerbahce mund ta shesë Muriqin, i cili mund të kushtojë më shumë se 20 milionë euro, për t’i balancuar llogaritë në kohë krize të shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Muriqi ka kontratë me gjigantin e Superligës turke deri në qershor të vitit 2023.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *