Milot Rashica ka folur rreth karrierës së tij, si me Kombëtaren e Kosovës ashtu edhe në nivel klubesh.
Ylli i Kosovës së fundmi ishte pjesë e Werder Bremenit, ndërsa pritet që së shpejti të bëhet me skuadër të re, shkruan Insporti
Rashica është pyetur rreth kundërshtarit më të fortë me të cilin ai është përballur, derisa ka treguar edhe golat më të rëndësishëm të karrierës.
Ai në një intervistë në Klan Kosova ka thënë se kundërshtari më i vështirë me Kosovën ka qenë Anglia, kurse në fillim ishte edhe Kroacia.
Kurse, me Werder Bremenin përballjet më të vështira i ka pasur ndaj dy skuadrave më të mira në Gjermani, Borussia Dortmundit e Bayern Munichut.
“Golat me kombëtaren, çdo gol është i rëndësishëm. Besoj se ndeshja me Bullgarinë, që kemi fituar 3 me 2, është një prej kujtimeve më të mira për mua”.
“Kjo sepse kam shënuar golin e parë, dhe në minutën e 95 kam bërë asistimin… siç thonin ‘u kall Bullgaria’”, ka thënë Rashica.
“Por edhe me Werderin kam shënuar gola të rëndësishëm, si kundër Dortmundit kur e eliminuam prej kupës, dhe Bayernit ndeshjet e fundit”, ka thënë ai.