Tri dekada pritje për titull, coronavirusi, lufta për një vend në Ligën e Kampionëve dhe ajo për mbijetesë – gjërat që e karakterizuan edicionin 2019/20 të Ligës Premier

Liga Premier arriti që të mbyllë edicionin 2019/20 me sukses edhe pse kishte shumë vështirësi gjatë rrugës.

Liga angleze, sikurse top katër ligat evropiane që u ndërprenë nga mesi i muajit mars shkaku i coronavirusit edhe këta e kishin fatin e njëjtë.

Por, mes shumë vështirësive dhe shumë testimeve për pandeminë botërore, futbolli në Angli u kthye në muajin qershor, derisa me 26 korrik i dhanë fund edicionit.

Pas më shumë se 30 vitesh, Liverpooli arriti të shpallej kampion i Ligës Premier me 99 pikë të grumbulluara.

Skuadra që drejtohet nga Jurgen Klopp zhvilloi njërin ndër sezonet më magjike në histori të klubit dhe pas tri dekadash pritjeje, arritën të riktheheshin si lider i ligës.

Nënkampioni i Anglisë, Manchester City këtë edicion e mbylli në vendin e dytë me 81 pikë, 18 më pak se The Reds, mirëpo Pep Guardiola vazhdon të jetë pretendentë kryesor për të fituar Ligën e Kampionëve.

Nga një edicion që ishte menduar si i dështuar për ta, Ole Gunnar Solskjaer arriti t’i motivonte lojtarët e tij dhe pas pandemisë me coronavirus u rikthyen fuqishëm, për të përfunduar sezonin në vendin e tretë me 66 pikë.

Edhe Chelsea në krye me Frank Lampardin mund të thuhet se kaloi nëpër një sezon të mirë, duke ditur se lojtari kryesor i skuadrës, Eden Hazard iu largua në verën e kaluar, për të kaluar te Real Madridi.

The Blues përfunduan në vendin e katërt me po aq pikë sa Djajtë e Kuq.

Një tjetër sezon magjik i Leicester Cityt, mirëpo që ishin të pafat në fund. Për disa xhiro, Dhelprat arritën të mbanin pozitën e tretë, mirëpo në fund e lëshuan atë, duke e mbyllur edicionin në vendin e pestë, derisa në edicionin e ri luajnë në Ligën e Evropës.

Në frymën e fundit, Jose Mourinho arriti të hyjë në parakualifikimet e Ligës së Evropës me Tottenham Hotuspurin që përfunduan në vendin e gjashtë me 59 pikë.

Arsenali nuk mund të fajësohet për këtë edicion, shkaku që shkarkuan Unai Emeryn dhe sjellën një trajner të ri si Mikel Arteta që ishte ndihmës i Pep Guardiolës te Manchester City.

The Gunners përfunduan në vendin e tetë me 56 pikë, derisa do të shpresojnë që së paku të fitojnë FA Cupën në finalen që i pret Chelsea, për t’u kualifikuar në Ligën e Evropës për edicionin e ri.

Në Championship edicionin e ri do të luajnë Bournemouthi që përfundoi në vendin e 18-të, Watfordi (19) dhe Norwich City (20).

Në Ligën Premier në sezonin e ri do të jenë pjesë të magjishmit dhe legjendarët Leeds United dhe West Bromi , derisa ende duhet pritur ndeshjen mes Brentfordit dhe Swanseas e Fulhamit me Cardiffin, që po luajnë në play-offin e Championshipit, për një vend në elitën e futbollit anglez.

Golashënuesi më i mirë i Ligës Premier për këtë edicion u zgjedh Jamie Vardy i Leicesterit që arriti të realizonte 23 gola. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *