Interi ka marrë fitore me rezultat 3:0 kundër Genoas në ndeshjen e Serisë A, duke e përmirësuar rekordin negativ në ndeshjet si mysafir kundër Genoas dhe, më e rëndësishmja, duke u ngritur në pozitën e dytë në tabelën e Serisë A.
Pas dy barazimeve radhazi, skuadra e Antonio Contes udhëtoi drejt stadiumit Luigi Ferraris me synimin për t’i marrë tre pikët kundër Genoas që t’i shfrytëzojë pikët e humbura nga Atalanta në ndeshjen kundër Milanit të premten, transmeton GE.
Interi e kishte fituar vetën një nga shtatë ndeshjet e fundit të zhvilluara si mysafir i Genoas në Serie A, megjithatë këtë herë djemtë e Contes e dominuan ndeshjen dhe s’lejuan të humbasin pikë.
Zikaltrit e morën pikërisht fitoren të cilën po e kërkonin për t’u ngritur në pozitën e dytë në tabelë, falë golave të shënuara nga Romelu Lukaku, në minutën e 34-t dhe 93-të, dhe nga Alexis Sanchez, në minutën e 83-të.
Interi tashmë e ka të siguruar kualifikimin në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, mirëpo shpreson ta mbajë pozitën e nënkampionit, pas tri sezoneve që ka përfunduar ligën në pozitën e katërt në tabelë.
Në anën tjetër, kjo disfatë e kthen në rrezik për rënie nga Serie A Genoan, e cila mban epërsinë prej katër pikësh kundër Lecces, e cila megjithatë s’e ka zhvilluar ende ndeshjen e kësaj xhiroje.