Ish trajneri i Feronikelit, Sopi: Futbolli i Kosovës më i korruptuari në Evropë

Kishte lënë Suedinë për të drejtuar një projekt afatgjatë te Feronikeli të prezantuar nga Albert Bunjaki, ish-selektor i Kosovës.

Por, aventura e Agim Sopit zgjati shumë pak te ish-kampionët e vendit. Për më tepër Sopi u ndje i tradhtuar nga presidenca e klubit, i zhgënjyer nga futbolli kosovar dhe i pashpresë për të ardhmen e futbollit në vendin tonë.

Në një rrëfim për Gazetën Sheshi, tekniku me prejardhje nga Shkupi ka rrëfyer për të gjithë ndodhitë në kampin e “industrialistëve”, duke vendosur kështu t’i kundërpërgjigjet deklaratave të presidentit të klubit, Naser Rama, i cili ditë më parë deklaroi se gabuam në përzgjedhjen e trajnerëve, ndërkohë këta të fundit sollën futbollistë të dështuar.

“Kam ardhur në Kosovë për shkak të një projekti që më është prezantuar nga Albert Bunjaki, pasi që është mik i mirë i imi dhe kemi biseduar që të implementojmë atë projekt afatgjatë, i cili u bë i shkurtër qysh në ditët e para kur erdhëm aty, shkaku i ambicieve të klubit për t’u shpallur kampion me nëntë pikë prapa liderit”, ka thënë fillimisht Sopi.

Sopi ka mbetur i befasuar për të keq me futbollin kosovar. Ai thotë se presioni i madh i klubeve në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe gjyqtarët e ndeshjeve ka bërë që niveli të ulët për fat të keq.

“Në Kosovë është liga më e korruptuar në Evropë. Klubet bëjnë presion të madh te gjyqtarët dhe Federatat, po flas për këtë pjesën se çfarë kam parë unë. Nuk do t’i harroj skenat gjatë ndeshjeve nga stoli i kundërshtarëve. Presione të tilla nuk kam parë asnjëherë në karrierën time”.

Madje, ai ka edhe një pyetje për kolegët e tij në Kosovë, teksa thotë se disa nga ndeshjet e fundit në futbollin kosovar janë turp për t’u shikuar.

“Nuk e di se si gëzohen disa trajnerë me fitore të tilla se çfarë po i arrijnë tash. Ata e dinë shumë mirë se si i kanë fituar ato ndeshje dhe si mund t’u flasin futbollistëve, kur e dinë se si kanë fituar. Personalisht nuk do të qëndroja as pesë minuta në ato situata, nëse veçse do më kishte kërkuar dikush t’i kurdisja ndeshjet. Është marre e madhe se çfarë po ndodh në futbollin kosovar”, theksoi Sopi.

Pasojat e këtyre ndeshjeve po shihen në arenën ndërkombëtare sipas tij, derisa potencon se në forma të tilla futbolli kosovar nuk mund të shkojë përpara.

“Merreni dhe shikoni secilën skuadër që është bërë kampion dhe si është bërë. Po shihen rezultatet në arenën ndërkombëtare. Po humbasin nga skuadrat amatore të Gjibraltarit dhe Ishujve Faroe. Futbolli i Kosovës duhet të ndryshojë një ditë, nuk shkohet kështu përpara”, përfundoi Sopi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *