Sylisufaj futbollisti i parë nga Shqipëria që vesh fanellën e Kosovës

Përfaqësuesja e Kosovës për moshat deri në 21 vjeç do të ketë dy prurje të reja nga kampionati suedez.

Lorik Ademi dhe Edi Sylisufaj do të jenë lojtarët e rinj nga viti i ardhshëm. Këtë gjë e ka konfirmuar para disa ditëve menaxheri i Kosovës U21, Zgjim Sojeva.

Interesant është fakti se sulmuesi Sylisufaj është me origjinë shqiptare, ndërsa prindërit i ka nga Tropoja. I lindur në Suedi në 8 mars të 2000, sulmuesi i Falkenbergs ka zhvilluar 8 takime, duke shënuar 3 gola me ekipin e parë.

Kështu, Sylisufaj bëhet shqiptari i parë i Shqipërisë, që do të luaj për Kosovën, pasi që mjaft shumë futbollistë nga Kosova kanë luajtur për Kombëtaren e Shqipërisë deri më sot.

Në një prononcim për “GazetaBlic”, ai ka deklaruar që është shumë i lumtur dhe se do të luajë me shpirt dhe me zemër për Kosovën.

“Po ndjehem shumë mirë tek skuadra ime momentale në Suedi, e kemi një skuadër të mirë dhe shpresoj që të vazhdojmë ta japim maksimumin si në stërvitje ashtu edhe në ndeshjet që kemi. Nuk dua të ngutem me premtime dhe po e pres zyrtarizimin. Mirëpo në momentin që futem në fushë, do të luajë me shpirt e me zemër për shtetin tim, për familjen time dhe për të gjithë adhuruesit e futbollit atje” tha Sylisufaj.

Kujtojmë që javën e kaluar Sylisufaj shënoi një gol spektaklor për skuadrën e tij në Suedi, gol ky që u diskutua shumë në shtetin ku ai po luan momentalisht tek skuadra e Falkenbergs.

Madje, Sylisufaj konsiderohet si njëri ndër talentët me shumë perspektivë në Suedi që shumë lehtë mund të kalojë tek ndonjë skuadër e madhe evropiane nëse vazhdon me paraqitje të tilla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *