Sonte Juventus-Lazio, derbi përcaktues për titull në Serie A

Çdo mëkat i bërë nga Juventusi apo Lazio që pas rikthimit në fushën e lojës pas pandemisë mund të lahet ndoshta në një sfidë të vetme 90-minutëshe në Torino, ku ndoshta titulli i Serisë A mund të hapet ose të mbyllet sërish.

Për këtë do të vendosë fusha e lojës në ndeshjen më të rëndësishme të javës së 34-t në Serinë A, me Juventusin që niset nga një +7 përballë Lazios në renditje.

Tri javë pa fitore duken vërtet shumë për një skuadër që është mësuar të dominojë në Itali dhe sfida me Lazion, nëse do të ishte luajtur përpara pandemisë, ndoshta do të kishte ngritur një pikëpyetje të madhe për bardhezinjtë sa i përket sigurisë për të marrë maksimumin, pasi Juventus dy sfidat e fundit në Superkupë dhe kampionat i ka humbur ndaj ekipit të Inzaghit. Lazio mes ekipeve të kreut ishte formacioni që rrëshqiti më shumë në formë, duke bërë paraqitje që nuk ishin të denja për një ekip që luante për titullin.

Katër javë pa fitore për Lazion janë vërtet shumë, por një 90-minutësh si ai i Torinos mund të ndryshojë sezonin pikërisht në fund. Mungesat janë të mëdha te bardhekaltrit si dhe te Juventusi, ku ajo e Chiellinit mund të krijojë lehtësira në mbrojtje për depërtimin e sulmuesve të Lazios. Te bardhezinjtë mendojnë se kjo ndoshta është pengesa e fundit drejt titullit dhe një sfidë që duhet fituar.

Me Sarrin në stol ka munguar spektakli, por në këtë pikë është e rëndësishme fitorja, që do të siguronte titullin e 9-të radhazi, në të kundërt, nëse do ta humbiste, do të ishte vetë Juventusi që do të falte një kampionat që deri para 3 javësh dukej i veshur bardhezi./SS/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *