Ish futbollisti i Manchester United dhe pronari i Inter Miami, David Beckham është duke planifikuar skuadrën për sezonin e ri futbollistik në MLS.
Një emër i lakuar është ai i yllit portugez të Juventusit, Cristiano Ronaldos.
Zërat u shtuan së fundmi pas deklaratës së ish bashkëlojtarit të Ronaldos, Luis Nani i cili u shpreh se “Cristi” i kishte thënë se do të luante në Amerikë.
“Nuk është 100% e sigurt por Ronaldo më ka thënë disa vite më parë se me shumë gjasë do të luante në SHBA” – tha Nani për ESPN.
Ndërkohë trajneri i Minnesota United, Adrian Heath, u deklarua se David Beckham synon transferimin e dyshës më dominuese të historis së futbollit, Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit.
“Do të ishte diçka fantastike për futbollin në Amerikë dhe në qoftë se ka njeri që mund ta realizojë këtë, ai është David Beckham” – tha ai për The Mirror.
Kujtojmë se Cristiano Ronaldo ka kontratë me Juventusin deri në vitin 2022, ndërkohë Lionel Messi ende nuk e ka vazhduar kontratën që skandon në fund të vitit tjetër.
Epilogu i kësaj ndërmarrje kaq ambicioze i takon kohës por si duket edhe mund të ndodhë një gjë e tillë. /Insporti/