Futbolli në Shqipëri e ka të vështirë që të ndahet nga bastet sportive, edhe pse janë tashmë të palejuara.
Kështu e ka pësuar Holtian Xhangoli, ish-futbollist i cili ka veshur fanellën e Maliqit, pasi kishte kthyer në mënyrë ilegale një lokal në një pikë bastesh.
Ai kishte marrë një lokal në përdorim dhe aty organizonte vendosjen e basteve sportive, edhe pse nuk është e lejuar, nëpërmjet telefonit.
Xhangoli është zbuluar pas një aksioni policor i cili konstatoi kthimin e këtij lokali në pikë bastesh sportive.
Në celularin e tij ishin edhe lidhjet e një faqeje sportive ku detajoheshin biletat e luajtura dhe të gjitha shumat që ai vinte.
Kësisoj, Xhangoli i cili në FSHF regjistrohej si lojtar i Maliqit për herë të fundit në vitin 2016, akuzohet për veprat penale të “Organizimit të lotarive të palejuara”, ”Vënie në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Fshehje e të ardhurave”.