Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është dënuar me një gjobë të vogël prej 300 eurove nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit Kosovës, pasi e akuzoi rëndë presidentin e FFK-së, Agim Ademin, dhe gjyqtarët se ndikuan në humbjen e skuadrës së tij kundër Drenicës para rreth dy javëve.
Drenica e mundi 2:0 Llapin në një ndeshje të Ipko Superligës më 13 qershor në Podujevë, me Batatinën që nuk u përmbajt në përfundim të saj duke hedhur akuza të rënda ndaj federatës dhe gjyqtarëve se gjoja i ndihmuan Drenicës të fitojë, raporton Gazeta Express.
Kjo nuk është hera e parë që Batatina dhe Llapi i tij i akuzojnë gjyqtarët dhe madje edhe FFK-në për ndikim në ndeshjet e futbollit përmes referimit. Ata nuk janë të vetmit në Ipko Superligë që lëshojnë akuza të tilla vazhdimisht.
Duke folur pas humbjes së Llapit kundër Drenicës të shtunën më 13 qershor, Batatina kishte thënë: “Kam respekt për prokurorin, dhe shpresoj të punoj me këso njerëz dhe të dal drejtësia. Nëse dikush duhet të hetohet është kryetari Ademi, në lidhje me atë që ndodhi në ndeshjen e djeshme ndaj Drenicës”.
“Kjo që ka ndodhur ka qenë një direktivë nga kryetari Ademi, Malazog Hoxha dhe Përparim Hasani vetëm e vetëm që Llapi të mos fitojë dhe të mos dalë në Evropë. Këto janë vetëm për ta ngarkuar opinionin duke na humbur investimet milionëshe”, përfundoi ai.
Por kësaj radhe, trajneri i Llapit s’i ka shpëtuar dënimit; një gjobe simbolike.
FFK-ja njoftoi se e ka gjobitur Batatinën me 300 euro.
“Kryetrajner i KF ‘LLAPI 1932’ nga Podujeva…në procedurë të hapur nga mbledhja e kaluar e Komisionit Disiplinor për manifestim të sjelljeve të gabuara në prononcimet e tij lidhur me ndeshjen e javës së XXIV-të të Superligës së Kosovës në futboll LLAPI 1932 – DRENICA, e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti“ në Podujevë. Bazuar në nenin 40 paragrafi 1 pika 3 dhe nenin 10 paragrafi2 të Rregullores disiplinore ; DENOHET në të holla në shumë prej; 300 euro (treqind euro)”, shkruhet në komunikatën e FFK-së.