Llapi e quan “gjyqtar të fëlliqur”, Çaka iu kundërpërgjigjet ashpër

Llapi ka publikuar një reagim të ashpër ndaj Dardan Çakës, pas penalltisë së lehtë që ia dha Feronikelit në fundjavë.

“Sot në ndeshjen e zhvilluar në Drenas, KF Llapi pritej të luante si mysafir i KF Feronikelit, por nuk ndodhi. Kjo nuk ndodhi pasi që futbollistët e KF Llapit u deshtë të luanin edhe ndaj misionarit për krim të deleguar nga lartë, Dardan Çakës, i cili nuk është i pa njohur për krimet që i bën kur do dhe kudo që i ‘referon’ Llapit. Nuk mund ta quajmë referim një paraqitje të tij sot, do ta quanim masakrim, pasi me vendimet e tij makabër që bëri në ndeshje e vendosi epilogun e ndeshjes 2:1. Po ky është Dardan Çaka i cili i kryen me mrekulli misionet e Shefëve të tij, ky është ai i njëjti Dardan që vazhdon të shkel mbi djersën e futbollistëve dhe mundin e donatorëve, gjë të cilën e bën me sukses atëherë kur është i urdhëruar nga lartë.

Dardan Çaka nga fillimi ishte tendencioz, vendimet e tij të çuditshme dhe të misionit krim i nisi nga akordimi i penalltisë së parë për Feronikelin. Matematikat e tij i prishi për pak çaste goli i Ersil Ymerit dhe rastet e dominimi total që e kishte Llapi gjatë pjesës së parë po e drithëronin atë e nga aty nisi të shpërndante kartonë të verdhë pa ndaluar, pasi direktivat e tij ishin edhe diku tjetër pasi e dinte se KF Llapi ndeshjen e radhës do ta zhvillonte ndaj FC Prishtinës, e si rrjedhojë e kësaj nuk mund të llogarisim në dy futbollistët mbase kryesor të skuadrës, Arbnor Ramadani dhe Behar Maliqi.

Se çfarë fytyre të fëlliqur ka Dardan Çaka u vërejt në pjesën e dytë, me vetëdije të plotë e la ndeshjen t’i dal nga dora, pasi nuk ishte i kënaqur me epilog të barabartë, akordoi shumë faula afër zonës tonë, një prej të cilëve vendasit arritën ta shfrytëzonin me gol. Faulli i minutës së 76-të të ndeshjes, e bëri Çakën të kaloj provimin, por jo për të mirë por për ta dëshmuar se çfarë gjyqtari i dobët dhe çfarë niveli i njeriut të fëlliqur është i lartëcekuri. Lëre që e shpiku penalltinë por edhe e përgaditi terenin për ndeshjen e ardhshme duke i ndëshkuar lojtarët pa arsye. Tek rasti i penalltisë së shpikur, ai ndëshkoi me karton të kuq edhe lojtarin tonë Behar Maliqi pa fije turpi e kështu atij iu liruan këmbët pasi vetëm se nuk po e vishte fanellën e Feronikelit dhe ta shënonte vetë golin e dytë.

Edhe ndeshjen me Drenicën e kanë vendosur gjyqtarët por nuk kemi reaguar, kemi menduar se këta gjyqtarë do mbushen mend ndonjëherë por jo!!A ka drejtësi ne këtë vend apo këta janë Zot në këtë vend dhe duhet të na dëmtojnë ne këto mënyra? Kush duhet të marr përgjegjësi për këto dëme që janë duke ia shkaktuar skuadrës tonë, të përgaditura nga njerëzit brenda Federatës vetëm se jemi zëri kundërshtues i të këqijave që po ndodhin në futbollin e Kosovës?
Nuk është e lehtë t’i shpenzosh milionët në këtë futboll të misioneve të krimit, nuk është e lehtë as për futbollistët që të luajnë edhe ndaj gjyqtarëve, pasi me nivelin e Dardan Çakës, nuk mund edhe të luftosh për ngjyrat e klubit sepse ai nga një faull më i lehtë deri tek penalltitë e akorduara është komplet kundër ndesh.

Lusim organet kompetente të cilat duhet të mirren me gjyqtarët si ky dhe t’ua japin dënimin e merituar përndryshe neve si klub nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se të pushojmë aktivitetin si klub dhe t’i lëmë njerëzit e krimit të luajnë mes vete dhe me klubet e tyre simpatike”, njoftoi Llapi.

Akuzave të Llapit iu është përgjigjur Çaka në Facebook.

“Pasion, pastërti dhe kulturë! Gjithmonë”, ka shkruar vushtrriasi në postimin e tij.

Më poshtë postimi i Çakës mbrëmë pas mesnate.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *