CFR Cluj vazhdon të jetë aktive në merkato dhe duket se ky dimër mund të sjellë të ardhura të konsiderueshme për klubin rumun. Pas largimit të Louis Munteanu drejt DC United, drejtuesit e Cluj po punojnë për një tjetër transferim të bujshëm në MLS.
Pronari Nelutu Varga është në negociata të avancuara me DC United për shitjen e mesfushorit kosovar Meriton Korenica.
Edhe pse marrëveshja nuk është mbyllur ende, burime pranë klubit bëjnë të ditur se shanset për realizimin e saj janë shumë të mëdha.
Trajneri i DC United, Rene Weiler, e vlerëson lart Korenicën, të cilin e ka ndjekur personalisht gjatë ndeshjeve të CFR Cluj. Madje, sipas burimeve, tekniku zviceran e konsideron mesfushorin kosovar një opsion edhe më tërheqës sesa Louis Munteanu.
Bisedimet mes palëve po zhvillohen rreth shumës 4 milionë euro, një shifër që do të ishte shumë e rëndësishme për CFR Cluj, sidomos në kushtet e vështirësive financiare me të cilat po përballet klubi.
Korenica u bashkua me Clujin rreth një vit e gjysmë më parë nga Manisa dhe ka qenë një nga lojtarët më të qëndrueshëm të skuadrës. Gjatë këtij sezoni, ai ka realizuar 6 gola dhe ka regjistruar 7 asistime në 29 paraqitje në të gjitha kompeticionet.